Albin Kurti 

Tangoja e dy të pangopurve

Albin Kurti
15.02.2011
AKR-ja në mandatin e kaluar i shërbente PDK-së si vegël. Mandati i kaluar shkoi por jo edhe të qenit e AKR-së si vegël e PDK-së. Roli i AKR-së nuk ka ndryshuar edhe pse tani u ngjit në pozitë. Por, as PDK-ja nuk ndryshoi jo vetëm pse sërish do të jetë në pozitë.


Koalicioni PDK-AKR është formalizim i një lidhjeje të gjatë. Fillimi i kësaj miqësie të bukur (siç thuhet në fund të filmit Casablanca) daton qysh prej vitit 2007. AKR-ja për më shumë se tri vjet qëndroi në opozitë duke mos e bërë me gjithë mend opozitën. Kreu i saj përfitonte tenderë nga Qeveria, blinte ndërmarrje të Kosovës përgjatë plaçkitjes së Kosovës që u quajt privatizim, dhe deputetët e tij e kritikonin koalicionin PDK-LDK e Thaçin vetëm atëherë kur kritika e tyre s’kishte aq rëndësi. Në vitet 2007-2010 në Kosovë formalisht e kishim koalicionin qeverisës PDK-LDK, por realisht koalicioni kishte formulën PDK-AKR-LDK.


Se AKR-ja është më e afërt me PDK-në edhe se vetë partneri i saj LDK-ja, u dëshmua me 2 nëntor të vitit të kaluar. AKR-ja e mundësoi mosbesimin ndaj qeverisë Thaçi në mënyrë që të provokoheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme në të cilat u bë vjedhja më e madhe elektorale në Kosovën e pasluftës. Pa AKR-në nuk do të binte qeveria e PDK-së në mënyrë që mandej të mund të ngritej përsëri ajo. AKR-ja që e rrëzoi Qeverinë e PDK-së me marrëveshje, pas vetëm tre muajve e gjysmë, po e ngrit PDK-në në qeverisje me marrëveshje të re. Këto dy marrëveshje të ndryshme janë dy anë të së njëjtës medale. E dyta s’bëhej pa të parën, por mbase as e para s’bëhej pa këtë të dytën.


Në qeverinë e ardhshme do të jenë edhe të besueshmit e tjerë të Thaçit nga radhët e mosbesuesve të tjerë të qeverisë së kaluar – pra, deputetët serbë. Më 2 nëntor 2010, në mesin e 66 deputetëve që patën votuar për shkarkimin e qeverisë kanë qenë edhe ata të SLS-së së Slobodan Petroviqit dhe të Grupit për Integrim të Branislav Grbiqit. Sikurse AKR-ja, edhe këta do të shpërblehen me poste të ndryshme qeveritare për shkak se ia zgjatën jetën Thaçit duke e rrëzuar atë për ta ringritur ca më vonë.            


Thaçi nuk ka pasur nevojë ta përdorë si vegël AKR-në atëherë kur e organizoi suksesshëm mocionin e mosbesimit ndaj vetes së tij. Ai, thjesht, ka mundur të japë dorëheqje. Edhe tash, nuk ka qenë e thënë që ai të pajtohet për Pacollin president. Ai, thjesht, ka mundur të heq dorë nga posti i kryeministrit. Ishte e qartë që AAK-ja nuk e kishte problem koalicionin me PDK-në por bërjen e Thaçit kryeministër. Madje, ky ishte halli kryesor edhe i LDK-së e cila propozonte qeveri të përbashkët teknike. Mirëpo, Thaçi dëshironte që me çdo kusht të bëhet kryeministër. Prandaj, e vërteta është që Pacolli po bëhet president sepse Thaçi nuk është i gatshëm të mos bëhet kryeministër. Natyrisht, Thaçi edhe po e shpaguan Pacollin për ‘mosbesimin’ e këtij me 2 nëntor. Ama shkaku kryesor që Pacolli po bëhet president është dëshira e zjarrtë e Thaçit për t’u (ri)bërë kryeministër. Thaçi do ta propozojë Pacollin për president sepse ai do ta propozojë pastaj Thaçin për kryeministër.


Nëse në dekadën e parë të këtij shekulli politikanët e Kosovës e dëshironin pushtetin kryesisht për hir të pasurimit dhe karrierës personale, tash në dekadën e dytë po këta politikanë e duan pushtetin për hir të ruajtjes së asaj pasurie dhe karriere. Në këtë ndërrim dekadash kemi edhe ndërrim dukurish: nga pushteti si para te pushteti si imunitet; nga pushteti si pasurim i paligjshëm te pushteti si legalizim i pasurisë. Ky ndërrim gjithsesi e rrit kontrastin ndërmjet qytetarëve dhe pushtetarëve. Qytetarët që e duan lirinë prej pushtetit ndodhen përballë qeveritarëve që e shohin pushtetin si liri. Pra, sikleti i politikanëve si puna e Thaçit nuk është më që jashtë pushtetit do të mund të mbesin pa pasurinë që s’e rrisin e as s’e ruajnë dot më, por që jashtë pushtetit do të mund të mbesin edhe pa liri. Ata e dinë që pa pushtet përveç pasurisë s’do të mund ta mbrojnë as veten e tyre prej akuzave e hetimeve për korrupsion.          


Pacolli sigurisht që kurrë nuk do të zë vend për të mirë te zemrat e mendjet e shqiptarëve. Shumë njerëz e kanë kapur kokën me duar tash që Behxhet Pacolli do të bëhet President i shtetit të Kosovës. Shumë qytetarë janë mërzitur fort kur kanë mësuar se ky njeri do të jetë i pari i Republikës sonë. Mirëpo, kjo situatë politike e ka dashur pikërisht një këso njeriu. Para negociatave të reja me Serbinë dhe para shitjes së ndërmarrjeve publike, ku ka njeri më të përshtatshëm sesa Pacolli? Pranë flamurit me lara dhe himnit pa tekst, ku ka Kosova njeri më të përshtatshëm sesa Pacollin?     


Me struktura të Serbisë që kontrollojnë çerekun e territorit të Kosovës, me privatizimin neoliberal tipik për Amerikën Latine të fundshekullit të kaluar, pa ushtri, pa të drejtë që t’i bashkohemi Shqipërisë, me himn e flamur shkombëtarizues, natyrisht që Pacolli shkon për president. Ashtu siç e kemi shtetin, të tillë do ta kemi edhe presidentin. Sa më shumë që ankohen njerëzit pse Pacolli do të jetë president, aq më shumë shpërfaqet që këta njerëz duan që shteti i Kosovës të mos duket ashtu siç është. Pacollin do ta ketë për president shteti i pavarur i Kosovës sepse si Pacolli është bërë vetë ky shtet. Duhet që rrënjësisht t’ia ndërrojmë karakterin dhe orientimin politik shtetit, në mënyrë që të mos na bëhen pacollat presidenta. Sikurse gjarpërin, as problemin nuk duhet kapur për bishti.


Në opozitë

Albin Kurti
08.02.2011
 Nuk ishin të paktë ata që na patën akuzuar pse nuk e nënshkruam të ashtuquajturin Kod të Mirësjelljes bashkë me politikanët e tjerë para zgjedhjeve. Së pari, pse duhet të sillemi mirë sipas një kodi kur thjesht mund ta respektojmë ligjin? Së dyti, pse duhet të bëhemi bashkë me po këta politikanë që janë sjellur keq me qytetarët në këto vitet e pasluftës? Së treti, a do të sillen njerëzit mirë vetëm pse e nënshkruan një deklaratë që quhet e mirësjelljes, ndërkohë që e dinë se kurrfarë pasojash nuk do të kenë në rast se bëjnë të kundërtën? Zgjedhjet e mëpastajme e vërtetuan qëndrimin tonë të drejtë asokohe: Kodi i Mirësjelljes shërbeu si relaksim i opinionit para vjedhjeve që do të bëheshin. Shkelësit e kaluar dhe shkelësit e ardhshëm të ligjit po e bënin një gjest mirësjelljeje formale për hir të kamerave televizive. Ata po silleshin mirë me njëri-tjetrin para se të sillen keq me qytetarët dhe votën e tyre.  


Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë numrin më të madh të ankesave dhe denoncimeve për parregullsitë dhe shkeljet e shumta të zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010. Njësoj ishte edhe me rastin e përsëritjeve të pjesshme të zgjedhjeve që pasuan më 9 dhe 23 janar 2011. Ne si subjekt politik kësaj radhe garuam për herë të parë. Është lehtë e besueshme që partitë e tjera kanë pasur më shumë përvojë e kapacitete për të bërë më shumë ankesa sesa ne. Ato kanë mundur ta dëshmojnë vjedhjen dhe dhunën shumë më tepër sesa ne përgjatë këtyre zgjedhjeve. Mirëpo ja që ne më të rinjtë dhe me mundësitë më të pakta në krahasim me gjithë të tjerët dokumentuam më së shumti shkeljet flagrante të ligjit që gjithsesi deformuan vullnetin e votuesve. Pra, Lëvizja jonë tregoi që luftën për drejtësi nuk është e thënë që e shpiejnë përpara ata që i kanë mundësitë e njohuritë më të mëdha, por ata që e kanë vullnetin për drejtësi më të madh. E, mbase nuk mund të kenë vullnet për drejtësi ata që nuk kanë interes për drejtësi. Politikanët që janë pasuruar e ngjitur drejt majave të sistemit në kushtet e padrejtësisë tashmë janë bërë edhe vetë ata pjesë e këtyre kushteve.


Cilido që të jetë koalicioni i ardhshëm qeveritar dhe sado i madh të jetë ai, kurrsesi nuk do të mund të ketë jetë të gjatë. Qeveria e ardhshme do t’i ngjajë një elefanti me këmbë prej qelqi që nuk i levërdis as të qëndrojë në vend e as të lëviz përpara. Ngjizja aktuale e koalicionit përmes negociatave ndërpartiake është tërësisht joparimore dhe jopolitike. Ambiciet personale të krerëve të partive dhe të fraksioneve të partive janë e vetmja shtysë drejt formimit të koalicionit qeverisës. Për kurrfarë programi a vizioni të përgjithshëm për Kosovën nuk diskutohet në këto negociata por vetëm për apetitet e akterëve të veçantë. E vetmja gjë që dihet është se ata që po bëhen bashkë në koalicion qeveritar do të bëhen bashkë për negociata me Serbinë dhe për privatizimin e PTK-së, KEK-ut e Trepçës. Pra, po bëhen bashkë që, në njërën anë, Kosovës t’ia rrudhin territorin e, në anën tjetër, t’ia bjerrin popullit të Kosovës pasurinë publike.


Në veçanti, partitë politike që do t’i bashkojë qeverisja e ardhshme nuk kanë program (për të mirën e Kosovës), porse ato i pret program i gatshëm (për ta dëmtuar Kosovën). Në përgjithësi, elita politike në Kosovë nuk është aq e ndarë në parti sa e ka ndarë Kosovën kundrejt së cilës partitë janë bashkë. Prandaj roli i Lëvizjes VETËVENDOSJE! si opozitë parlamentare dhe jashtëparlamentare është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm. Prandaj regjimi përpiqet që debatin e vërtetë politik për negociatat dhe privatizimin ta zëvendësojë me debatin për çështje teknike e procedurale si puna e betimit në Kuvend.


Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova po bëhet me Kuvend të ri të një shteti pa sovranitet dhe të një ekonomie pa prodhim. Serbisë po i ngutet që t’i fillojë negociatat me Kosovën. Ajo e ka kuptuar që koniuktura politike e Kosovës, e korruptuar dhe e shantazhuar siç është, po diskreditohet me shpejtësi dhe po bëhet e papërdorshme për aspiratat e Serbisë për një republikë serbe në Kosovë. Për të njëjtën arsye po iu ngutet edhe korporatave ndërkombëtare që duan t’i blejnë më lirë se badihava ndërmarrjet publike fitimprurëse të Kosovës si puna e PTK-së. Le të ngutemi ne që këta të vonohen.


Duke e pritur qeverinë që e presin negociatat


Albin Kurti
01.02.2011 
Gati për çdo ditë kemi nga një lajm për negociatat e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk është se thuhet diçka faktikisht e re, por vetëm përsëriten gjërat tashmë të vjetra me ndonjë parashikim të ri. Nuk kemi ngjarje që bëhen lajm, por kemi lajme që përbëjnë ngjarje. Spekulohet për vendin dhe kohën e fillimit të negociatave, temat dhe politikanët që do t’i negociojnë ato. Pra, lajm bëhen dyshimet e reja rreth negociatave, në mënyrë që vetë negociatat e reja të jenë të padyshimta. Lajmet aktuale lidhur me negociatat e ardhshme synojnë që nisja e këtyre negociatave në të ardhmen të mos paraqesë më lajm. Këto lajme që më shumë shprehin hamendësime teknike për negociatat sesa që transmetojnë fakte për to, janë fare pak në shërbim të informimit të publikut dhe janë tepër shumë në funksion të normalizimit të idesë e projektit të negociatave. Mbase besohet që njerëzit do të mësohen me idenë e rifillimit të negociatave, dhe pastaj nuk do të mund të shtiren se janë të befasuar kur ato do të fillojnë.  


Të gjitha këto lajme që s’janë lajme, duke qenë të reduktueshme në paralajmërimin e përsëritur për negociatat, po zhvillohen paralelisht me orvatjet për ta arnuar koalicionin e ri qeveritar në Kosovë. Partitë e ndryshme politike po luajnë ping-pong me njëra-tjetrën përmes deklaratave teksa përpiqen t’ia ngrisin pazarin vetes. E gjithë kjo lojë për pushtet që zhvillohet në llogari të shtetit të Kosovës po e vërteton që e përbashkëta e partive politike në Kosovë është konceptuale, ndërsa dallimet ndërmjet tyre janë veçse personale. Dhe, natyrisht, asnjërën prej tyre nuk mund t’i akuzojë kush për devijim meqenëse nuk mund të devijojnë ata që s’kanë bosht. Kështu, përderisa në njërën anë po sforcohet projekti i negociatave me Serbinë për çështjet e brendshme të shtetit të Kosovës, në anën tjetër, partitë dhe krerët e tyre po shpërfaqen si asnjëherë më parë në dobësinë e tyre që u vjen nga lakmia për pushtet. Ata që do të bëhen bashkë në qeverisje tanimë e dinë që menjëherë do të jenë bashkë edhe në negociata me Serbinë për Kosovën. Temat për diskutim dihen meqë ato i ka përcaktuar 6 Pikëshi famëkeq i Ban Ki-moon-it, i cili Planin e Ahtisaarit e avanson në drejtim të modelit të Bosnjes.


Sigurisht që politikanët e negociatave nuk e thonë që këto negociatat e ardhshme po bëhen për ta sajuar një entitet autonom serb brenda Kosovës. Në rastin më të mirë, ata e pranojnë që ky është qëllimi i Serbisë, por jo edhe se ky është rezultati i mundshëm. Ata preferojnë që këto negociata të shihen në kuadër të integrimeve evropiane sepse, kësisoj, besojnë që ato bëhen më të pranueshme për publikun shqiptar. Pa dyshim që këto negociata kanë të bëjnë me integrimet evropiane, por ama me integrimin e Serbisë në BE dhe jo me integrimin e Kosovës në BE. Serbia realisht po hyn si shtet në rrugën e integrimit për në BE, kurse Kosovës si popullsi i premtohet udhëtim pa viza në BE.


Serbia ka nevojë të jashtëzakonshme që të tregojë se i ka marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet përreth saj. Serbisë dëshpërueshëm i duhet ta dëshmojë fqinjësinë e mirë me Kosovën. Përndryshe ajo nuk avanson dot drejt Brukselit. Kosova, por edhe Shqipëria, kanë arsye të panumërta që të mos ia lehtësojnë Serbisë integrimin në BE. Aq më tepër që Serbia e do këtë integrim para Shqipërisë e Kosovës pikërisht që këtyre dyjave t’ua vështirësojë rrugëtimin e integrimeve evropiane (ngjashëm siç bën Greqia me Maqedoninë). Madje, Prishtina e Tirana do të mund t’i shikonin mundësitë edhe për aleanca në Sarajevë e Zagreb kundër Beogradit. Ia vlen të synohet ajo që s’u pat bërë në fillim të ’90-tave: një koalicion i republikave që dolën nga shpërbërja e ish Jugosllavisë kundër hegjemonisë së Beogradit. Fundja, Sarajeva e Zagrebi e dinë mirë që Sebia në luftërat që i shkaktoi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ka vrarë edhe më shumë boshnjakë e kroatë sesa shqiptarë. Janë me dhjetëra mijëra kriminelë serbë që shëtisin të lirë nëpër Serbi pasi që kanë vrarë rreth 200.000 joserbë në ato luftëra. Prishtina e Tirana, por edhe Sarajeva e Zagrebi, nuk mund ta shikojnë Beogradin me sytë e Brukselit.     


Posaçërisht shqiptarët dhe politikanët shqiptarë kurrsesi nuk duhet t’i ndihmojnë Serbisë. Serbia e ka të shkuarën kriminale në Kosovë për shkak të agresionit, okupimit, gjenocidit, shtypjes e diskriminimit për më shumë se një shekull. T’i ndihmosh Serbisë përderisa ajo s’na ka kërkuar falje dhe s’ka paguar dëmshpërblim për okupimin, apartheidin dhe luftën, do të thotë t’ia falësh asaj të gjitha krimet nga e kaluara. Shqiptarët dhe politikanët shqiptarë kurrsesi nuk duhet t’i ndihmojnë Serbisë që po ashtu e ka të tashmen dhe të ardhmen kriminale në Kosovë. Strukturat paralele të Serbisë kontrollojnë çerekun e territorit të Kosovës ndërkaq planet e Serbisë vazhdojnë të jenë antishqiptare. T’i ndihmosh Serbisë përderisa ajo s’na njeh si shtet i pavarur dhe i financon strukturat paralele, do të thotë t’ia njohësh asaj aspiratat hegjemoniste për Kosovën dhe t’ia pranosh strukturat paralele në Kosovë.


Të gjithë politikanët shqiptarë që shprehin gatishmëri për t’u takuar me Boris Tadiqin dhe për të negociuar me Serbinë për Kosovën duhet ta kenë të qartë që nuk mund t’i ndihmojnë Serbisë pa e dëmtuar Kosovën.


Mos më bëj numra

Albin Kurti
2011-01-25 21:30:59
45% të popullsisë në Kosovë jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë kurse 18% të tjerë jetojnë me më pak se një dollar në ditë. Njerëzit nga kategoria e parë konsiderohen të varfër, ndërkaq për njerëzit nga kategoria e dytë thuhet se janë në varfëri të skajshme. Rregullisht i dëgjojmë e lexojmë këto të dhëna të Bankës Botërore në televizionet, radiostacionet e gazetat tona. Që të gjithë i dimë dhe secili i ka mësuar. Por, a i dimë me të vërtet dhe çka në fakt kemi mësuar?


Konstatimi i vazhdueshëm publik i varfërisë në Kosovë në formën e përqindjeve të caktuara e ka krijuar përshtypjen që varfëria është këtu për të mbetur. 45% dhe 18% – kjo është Kosova. 45 me 2 dhe 18 me 1 – këta janë numrat identifikues të Kosovës.  Kosova është e varfër sepse Kosova është kaq e varfër: 45 me 2 dhe 18 me 1. Këta janë numrat e vendit tonë; kështu jemi sepse këta numra i kemi. Nuk ka çka të diskutohet këtu. Është kështu siç është. Ky është realiteti ynë. Ky realitet jemi ne të këtillë çfarë jemi. Ndoshta dikur ka qenë më ndryshe, ndoshta dikur do të bëhet ndryshe, por nuk e dimë këtë. E dimë që jemi kështu: 45% aso dhe 18% këso.


Varfëria e kurthuar kësisoj në brutalitetin e numrave fiksë ngjan si një fakt objektiv që mund ta perceptosh më parë se sa ta ndryshosh, dhe që mund ta përshkruash më parë se sa ta shpjegosh. E sublimuar në numrat përkatës varfëria përjetohet si imanenca e situatës sonë që mund të përdoret si argument në diskutimet politike e të tjera, por jo edhe të diskutohet ajo vetë. Varfëria e kuantifikuar profesionalisht bëhet përgjigje për shumë pyetje që ngrihen duke mos lejuar që ajo vetë të vihet në pikëpyetje. Nga një dukuri me shkaqe politike varfëria është shndërruar në fakt jetësor. Thonë që jemi të paditur e me shëndet të dobët sepse jemi të varfër; që kemi politika të mbrapshta qeveritare sepse jemi të varfër; që kemi institucione shtetërore të dobëta sepse jemi të varfër; që nuk jemi të zhvilluar dhe kemi korrupsion sepse jemi të varfër. Por, nuk thuhet e sqarohet pse jemi të varfër. Ose: qenkemi të varfër sepse jemi të varfër. Kaq. Varfëria na qenka njëfarë mallkimi ynë për të cilin s’ia vlen të debatosh. Ajo është një fakt i kryer kontestimi i së cilës është veçse vajtim i kotë.     


E vërteta është se duhet përmbysur këtë rend alogjik të gjërave. Ne jemi të varfër për shkak se jemi të paarsimuar e me shëndetësi të dobët; ne jemi të varfër për shkak se kemi politika qeveritare të mbrapshta; ne jemi të varfër për shkak se kemi institucione shtetërore të dobëta; ne jemi të varfër për shkak se nuk jemi të zhvilluar dhe kemi korrupcion; dhe, ne jemi të varfër e kemi fare pak - ndonëse jemi të ndershëm - për shkak se dikush tjetër ka tepër shumë në mënyrë të pandershme. Para se të jetë shkaku i shumë fenomeneve shoqërore e kulturore (të shumicës së qytetarëve), varfëria është pasojë e politikave ekonomike (të udhëhequra nga pakica prej pushtetarëve).           


Në anën tjetër, varfëria e shenjuar me numrat e ftohtë të saj 45 me 2 dhe 18 me 1 e mpin trurin e publikut lidhur me mjerimin e përditshëm në të cilin ai është pllakosur. Këta 18% që jetojmë me më pak se një dollar në ditë janë njerëz të uritur për çdo ditë, që as bukë nuk kanë mjaftueshëm. Sigurisht që nuk kanë as ngrohje, rroba, këpucë e pastrim adekuat dhe janë të ngujuar aty ku banojnë, meqë asnjëherë s’kanë para për udhëtim me autobus. Të gjitha këto probleme i kanë edhe ata me shifrën 45 me 2. Dallimi është në nuancë dhe jo në lloj. Me dy dollarë në ditë nuk ke ditë kushedi sa më të mira sesa ai që ka vetëm një dollar në ditë.  


Prandaj, kur politikanët kosovarë flasin për mirëqenien sociale duke iu referuar arsimit cilësor, shëndetësisë së avansuar dhe punësimit sipas profesionit, harrojnë që nuk janë duke i folur shumicës dërrmuese të popullsisë. Aq e rëndë është bërë gjendja në Kosovë me çmimet që sa vie e rriten, saqë mirëqenia sociale për shumicën nuk përkufizohet në terma të jetesës por të mbijetesës. Kemi rënë në rrafshin ekzistencial ku për shumicën e popullsisë mirëqenia sociale nuk matet më me arsimin, shëndetësinë e punësimin, por me ushqimin, veshmbathjen, ngrohjen, higjienën dhe transportin. Nuk mund të bëjnë mësim nxënësit nëpër shkolla nëse janë të uritur. Nuk mund të shërohen pacientët nëpër spitale kur aty s’ka ngrohje dhe as higjienë të duhur. Nuk ka se çfarë i duhet kujt vendi i punës nëse gati gjysmën e pagës ia marrin shpenzimet e udhëtimit. Edhe sa shqiptarë duhet të mbyten në lumin Tisa apo nëpër malet e Bosnjes, duke ikur nga Kosova, që pushteti dhe politikanët e numrave të ftohtë ta kuptojë këtë gjë?!


Befasia e radhës


Albin Kurti
2011-01-18
Në vitin 2001 nuk po arrihej të formohej qeveria pas zgjedhjeve të para të pasluftës në Kosovë. U nevojit intervenimi dhe dirigjimi i kreut të atëhershëm të UNMIK-ut, Michael Steiner, që të sajohej bashkëqeverisja LDK-PDK-AAK. Pra, ndodhi ajo që më së paku pritej e duhej të ndodhte. Tri partitë kryesore u bënë bashkë në qeverisje pasi që s’kishin lë gjë pa thënë për njëra-tjetrën. Votat nga qytetarët i kishin marrë ndaras, dhe votat e shumë qytetarëve për liderë të caktuar, në fakt, kishin qenë vota kundër liderëve të tjerë të caktuar. U bënë bashkë të tri këto parti dhe pragu për formimin e qeverisë në Kuvendin e atëhershëm u tejkalua shumë më tepër seç nevojitej. Pluralizmi politik e la Kosovën pa opozitë. 

Tri vjet më vonë, Qeveria pasuese ishte sërish kombinimi më i papritur: LDK-AAK. Nuk mendohej që AAK-ja do të ndahej kollaj prej PDK-së e të lidhej me kundërshtarin kryesor të saj. Por, nuk vonoi shumë dhe PDK-ja nuk u la anash meqë u përfshi në Ekipin Negociator që funksiononte si një qeveri mbi qeverinë. Kosova përsëri mbeti pa opozitë në institucionet e saj.

Tri vjet të tjera më vonë, pas zgjedhjeve të vitit 2007, edhe njëherë u sajua koalicioni më i papritur, kësaj radhe, ai i ‘armiqve’ të përbetuar: PDK-LDK. Koalicioni i madh i dy partive kryesore e vazhdoi traditën e vjetër të institucioneve pa opozitë reale në to. Si gjithnjë, kjo arsyetohej me sfidat e mëdha të përbashkëta përpara nesh dhe me brishtësinë e institucioneve të reja (sic.). 

Çdo herë para zgjedhjeve këto parti politike i dramatizonin dallimet edhe aty ku ato s’ekzistonin. Pas zgjedhjeve i shuanin dallimet edhe atëherë kur ato ishin aty. Dramatizimet eventuale të dallimeve pas zgjedhjeve ishin veçse në shërbim të rritjes së pazarit të partive para njëra-tjetrës e për njëra-tjetrën, gjithmonë para koalicionit me njëra-tjetrën. Mosmarrëveshjet për poste nuk zgjasnin shumë dhe s’ishin asnjëherë fatale. Sepse shpikeshin poste të reja dhe kombinimi i pozitave me favore anësore sillte solucione të pranueshme. Vetëm mosmarrëveshjet konceptuale e ideopolitike nuk urëzohen dot. Këto të tjerat ishin gjithsesi të tejkalueshme. Ndërkombëtarët ishin përherë të lumtur sepse ruhej stabiliteti formal që, në të vërtetë, ishte stabilitet i mjerimit për shumicën e qytetarëve dhe stabilitet i korrupsionit për pakicën prej pushtetarëve.

Që të gjitha këto parti e donin pozitën (në qeveri) jo vetëm për shkak se e donin pushtetin, por edhe për shkak se ato vetëm sa dobësoheshin duke qëndruar në opozitë. Ngaqë nuk kishin dallime themelore me pozitën te programet politike a orientimet konceptuale, partitë opozitare sadopak që qëndronin në opozitë, vetëm sa rrudheshin e zvetënoheshin. Duke mos qenë pozitë dhe duke mos mundur ta bëjnë opozitën, partitë opozitare diskreditoheshin me shpejtësi. Zaten, pasi që të jesh pajtuar me pozitën për decentralizimin mbi baza etnike, për privatizimin neoliberal, për tolerimin e strukturave dhe mallrave të Serbisë në Kosovë, për negociatat me Serbinë, për shuarjen e TMK-së, për ndryshimin e flamurit e himnit etj.etj., ankesat opozitare për arrogancën qeveritare pak kujt i bëjnë përshtypje.     

Institucioneve të vendit tonë josovran nuk iu ka munguar pozita por opozita e brendshme. Doktrina e protektoratit ndërkombëtar për stabilitet afatshkurtër vazhdimisht i do të gjithë së bashku, i do të gjitha partitë bashkë në pozitë, pa opozitë fare ose me opozitë sa më të vogël. Mirëpo, s’ecet dot përpara pa opozitë. Shtetin nuk e bën demokratik pozita e pakontestueshme por opozita e fuqishme.

Kosovës më shumë se kurrë i nevojitet opozita. Mirëpo, krejt çfarë u tha më lartë për zgjedhjet e qeveritë e kaluara vlen edhe sot e kësaj dite. Pikëpamja dominuese është që, pa marrë parasysh vjedhjet masive në zgjedhje, të kemi qeveri stabile para dhe përgjatë sfidave që nuk duhet ta destabilizojnë Kosovën. Sfidat janë, si përherë, shitja e ndërmarrjeve publike dhe rifillimi i negociatave me Serbinë. Rrjedhimisht, në vijim do të shtohet trysnia mbi LDK-në që të hyjë në koalicion me PDK-në. Rrethanë lehtësuese për këtë është koalicioni i deritanishëm trevjeçar i këtyre dhe ideja e qeverisë teknike që tregon se LDK-ja nuk e sheh problemin te bashkëqeverisja me PDK-në sa te roli prijës i kësaj të fundit në koalicion. Formula e fushatës parazgjedhore ‘as-as’ kollaj do të mund të shndërrohet në ‘edhe-edhe’.

Prandaj, koalicioni PDK-LDK-minoritetet, koalicioni PDK-LDK-AAK-AKR, apo edhe ai PDK-LDK-AAK-minoritetet gjithsesi janë të mundshme në pranverë. Gjasat më të mëdha se cila prej këtyre do të ndodhë varet se cilën e konsideroni si më të pabesueshmen dhe mu ajo do të ngjajë pastaj. Se mos bëhet fjalë për parime këtu?!



Zullumi këputet prej s’trashi - nga Albin Kurti

Albin Kurti
2011-01-14
Votime të shumëfishta. Votime familjare. Mbushje kutish me vota të parapërgatitura. Votime në emër të mërgimtarëve. Votime në emër të minoritarëve. Votime në emër të të vdekurve. Blerje votash: 20 euro paradite, 50 euro pasdite. Ndërprerje e energjisë elektrike. Letërnjoftime të rrejshme. Llamba verifikuese që s’punojnë. Sprej që është veçse ujë. Prishje të fletëvotimeve. Udhëzues që të tregojnë për kë të votosh. Kërcënime të komisionerëve. Dëbime të vëzhguesve. Dhunë ndaj komisionerëve e votuesve. Menyja e zgjedhjeve demokratike në Kosovë është shumë e pasur. Vetëm se këtu nuk zgjedh qytetari. Këto janë zgjedhjet e pushtetit me të cilat duhet të përballet qytetari atëherë kur e ftojnë të zgjedhë.

Mund të mos ketë demokraci edhe atëherë kur ka zgjedhje demokratike. Fitojnë politikanët e pasur që kontrollojnë mediet. Në zgjedhje s’ka shkelje procedurash e rregullash dhe zgjedhjet formalisht janë demokratike – secili ka të drejtë të votojë lirshëm ndonëse shumica janë të mashtruar. Kjo ngjan edhe në vendet e zhvilluara perëndimore.

Mirëpo, s’mund të ketë demokraci kur s’ka zgjedhje demokratike. Zgjedhjet demokratike duke mos qenë as formalisht zgjedhje gjithsesi që s’janë as demokratike. Dhe, zgjedhjet demokratike, duke mos qenë aspak demokratike, sigurisht që nuk janë as zgjedhje. I këtillë është rasti i Kosovës ku as minimumi nominal i zgjedhjeve demokratike nuk ekziston. Për më keq, kemi keqësim të përshpejtuar. Me kalimin e viteve nuk po rritet cilësia e zgjedhjeve në Kosovë. Përkundrazi.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin të jashtëzakonshme dhe tash në mënyrë të jashtëzakonshme nuk po përfundojnë. Sepse sasia e vjedhjes dhe pafytyrësia e vjedhësve ishte e jashtëzakonshme. Jo vjedhja si e tillë dhe as ata që e kryen atë. Në komuna të veçanta po përsëriten zgjedhjet në përpjekje e sipër për t’i shpëtuar zgjedhjet në tërësi. Dihet që vjedhje të shumta votash pati gjithandej nëpër Kosovë. Dihet që menyja e plotë u përzgjodh në çdo cep të Kosovës. Në Drenas, Skënderaj dhe Deçan u përsëritën zgjedhjet jo pse atje pati vjedhje, por për shkak të sasisë së vjedhjes në këto tri komuna, dhe sidomos për shkak të sasisë së dokumentimit të vjedhjes. Në Drenas, Skënderaj e Deçan pati më së shumti njerëz të guximshëm që nuk heshtën para krimit.

Përsëritja e zgjedhjeve i përsëriti manipulimet. Nuk mund të ndodhte ndryshe përderisa më 9 janar 2011 askush nga dhunuesit e zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010 nuk ndodhej prapa grilave. Madje, shumë prej tyre u panë sërish në vendin e tyre të ‘punës’.       

Me përsëritjen e pjesshme të zgjedhjeve dhe me numërimin e pjesërishëm të votave po betonohet përqendrimi te sasia e shkeljeve të ligjit. Institucionet e shtetit nuk i alarmon tashmë shkelja e ligjit por eventualisht vetëm përmasa e shkeljeve. Kësisoj, vjedhja e votave po normalizohet dhe vetëm aspekti sasior i vjedhjes problematizohet. Kjo mënyrë mbase do të shpie drejt konsolidimit të një pragu përtej së cilit shkelja e ligjit bëhet shkelje e ligjit. Nëse ligji nuk shkelet shumë atëherë ligji nuk është shkelur. Por, edhe pragjet do të lëvizin gjithsesi. Përbrenda kësaj logjike, ajo që nuk tolerohet sot, kollaj mund të tolerohet nesër. Koha legjitimon e përdorimi legalizon, apo jo? 

Demokraci do të thotë sundim i popullit. Te demokracia në Kosovë e kemi parë sundimin por jo edhe popullin. Ose: e kemi parë popullin duke u sunduar por jo duke sunduar. Pushteti jodemokratik e ruan veten, pra pushtetin, në mënyrë jodemokratike. Ai nuk lejon që të përdoret demokracia kundër tij. Ai nuk e lejon demokracinë. Ky pushtet nuk ka asgjë më të vlefshme sesa vetveten. Prandaj, për pushtetarët e Kosovës pushteti është çështje ekzistenciale. Ata do ta lejojnë vetëm atë pjesë të demokracisë dhe vetëm atëherë kur ajo iu konvenon. Gjithnjë e më shumë po shihet që kjo është gjithnjë e më pak dhe gjithnjë e më rrallë.

Në Kosovën e pavarur pa sovranitet kemi demokraci pa ligj, kemi demokraci pa shtet ligjor, pra: s’kemi demokraci. Shteti në Kosovë nuk është shtet ligjor sepse nuk është shtet i ligjit por është shtet i pushtetit. Me këso zgjedhjesh që përsëriten për shkak të parregullsive të shumta e mandej përsëriten parregullsitë pa pasur zgjedhje të vërteta, nuk po legjitimohen politikanët e zgjedhur por po deligjitimohen zgjedhjet si të tilla.

E, ndoshta vjedhjet e dhuna në Kosovë vetëm sa po bëhen më të dukshme. Pushteti është në panik dhe ai s’mund ta fshehë më fytyrën e tij. Esad Mekuli thoshte që zullumi këputet prej s’trashi. Pra, ndoshta këto janë shenja se politika e vjetër po vdes. Se ajo po qet shqelma. Se ajo po përpëlitet. Dhe, kjo është e njëjta dhembje që do ta lind politikën e re në Kosovë.


Të vjetrat pas Vitit të Ri

Albin Kurti
2011-01-04
Nga viti 2010 Kosova doli ashtu siç pati hyrë në këtë vit. Pa sovranitet, pa zhvillim ekonomik, pa kontroll të kufijve, pa vende pune dhe pa arsim e shëndetësi cilësore për popullatën. Dhe, ashtu si para një viti, edhe tani, Kosova është me varfëri të gjerë e të thellë, me struktura të Serbisë që i toleron Qeveria jonë, me Mitrovicë të ndarë, me sundim ndërkombëtar që nuk na jep llogari, dhe me privatizimin neoliberal që pasuron një grusht njerëzish përmes shitjes së asaj që ishte e të gjithë neve.


Megjithatë, këtë vit që e lamë pas duket që e dallon prej vitit 2009 korrupsioni enorm i politikanëve e zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë dhe vjedhja e pashembullt e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. Në njërën anë, patëm bastisjet në MTPT, akuzat dhe arrestimin e guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi dhe, në anën tjetër, kishim votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura me 12 dhjetor pasi që u kërcënuan e rrahën shumë komisionerë e vëzhgues. Mbase këto janë ngjarjet që qytetarët e Kosovës më së shumti do t’i mbajnë mend nga jeta politike e vitit 2010 edhe pasi u ndërruan motmotet. Demonstrimi i forcës së EULEX-it me njësi speciale të maskuara të policisë gjersa kryejnë bastisje të ministrisë dhe guvernatori i qeshur Rexhepi që zbret shkallët me duar të lidhura nga prangat e policisë, sigurisht se paraqesin imazhe televizive të vitit 2010 që s’do të harrohen kollaj as tani që duhet ta ndërrojmë kalendarin. Po ashtu, edhe imazhet e xhiruara me kamera private ose telefona mobil ku shihen manipulimet me vota ose rrëfimet e komisionerëve dhe vëzhguesve për dhunën ndaj tyre më 12 dhjetor do të mbesin gjatë të ngulitura në kujtesën e qytetarëve të Kosovës.


Ajo që rrezikon të harrohet është se këto që po i kujtojmë si gjëra që nuk do të harrohen nuk janë aq gjëra të reja. Shumë korrupsion e vjedhje votash ka pasur edhe më herët. Edhe në vitet e mëhershme e në qeveritë e mëparshme kishim shumë zyrtarë që ishin shumë të korruptuar. Edhe në zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2009, edhe në ato të vitit 2007 e më herët, ka pasur vjedhje votash. Në vitin 2010 nuk kishim dukuri të re por intensifikim të ri të dukurive të vjetra. Ajo që po ndryshon me kalimin e viteve në Kosovë nuk është lloji i dukurive por përmasa e tyre. Vjedhje parash dhe vjedhje votash. E këtillë është Kosova tash e shumë vite. Paratë vidhen dhe votat blihen në mënyrë që mandej të vidhen edhe më shumë para të tjera. Vidhen votat prej atyre që kanë pushtet në mënyrë që të kenë edhe më gjatë pushtet për të vjedhur edhe më shumë para.


Ashtu sikurse që numri 2010 dallon nga numri 2009 vetëm në njërën shifër në pamje dhe ashtu sikurse që 2010 është vetëm për një më i madh në përmbajtje sesa numri 2009, ngjashëm ishte ndryshe edhe ky viti 2010 prej vitit 2009. Me dallim sasior për të keq, pa ndryshime cilësore për të mirë për jetën e qytetarit të Kosovës. Fundja, asnjëri prej problemeve të vitit 2010 nuk ka nisur në këtë vit dhe nuk na është shfaqur për herë të parë në këtë vit. Vetëdijesimet mund të kenë qenë të reja sepse të vonuara, pamjet e zbuluara televizive mund të kenë qenë të reja sepse gjithashtu të vonuara, por jo edhe këto dukuri si të tilla.   


Dekada e parë politike e shekullit XX në Kosovë nisi me luftën çlirimtare të UÇK-së që u pasua nga intervenimi i NATO-s dhe u mbyll me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Intervenimi i NATO-s ishte me karakter humanitar dhe jo me karakter politik. Atëbotë nuk u intervenua në Kosovën që konsiderohej vend i okupuar nga Serbia e që duhej çliruar, por në Kosovën ku popullata duhej të shpëtohej nga forcat vrastare të regjimit të Milosheviqit. Nëntë vite më vonë edhe pavarësia që u shpall nuk ishte pavarësi njëmend politike, por edhe ajo ishte njëfarë pavarësie humanitare. Nga vetë Deklarata e Pavarësisë ku tetë herë përmendet Ahtisaari e tri herë pavarësia, përfshirë këtu edhe titullin e deklaratës, ishte e qartë se pavarësisë së Kosovës do t’i mungojë sovraniteti kurse popullit të Kosovës do të vazhdojë t’i mungojë e drejta e vetëvendosjes.


Për këtë arsye në Kosovë assesi nuk po fillon dekada e dytë politike në shekullin XX. Përkundër shpalljes së pavarësisë para gati tri viteve, politikisht Kosova mbetet në dekadën e parë të shekullit XX. Në vend se pavarësia formale si një hap para të jetë edhe mundësi për hapa të tjerë në ecjen e mëtutjeshme, ajo u bë edhe hap i mbramë. Nuk po mund ta fillojmë vëllimin e dytë. Kemi mbetur te pavarësia formale që ishte kapitulli i fundit i vëllimit të parë. Vëllimi i dytë nuk niset pa shtetndërtim e zhvillim ekonomik, pa sovranitet e prodhim vendor.     


Ecjen përpara pa dyshim që nuk na e ndihmojnë ata që janë të (vetë)kënaqur këtu ku jemi e kështu siç jemi. Përkundrazi. E, të atillë janë ish pushtetarët që nuk mund ta marrin me mend se një ditë mund të mbesin pa pushtet. Apo, ndoshta pikërisht pse e marrin me mend që një ditë mund të mbesin pa pushtet ata sillen e veprojnë kështu?! Sepse pa pushtet nuk kanë siguri që do të mbesin në liri dhe as që s’do të kridhen në varfëri. Prandaj shesin e vjedhin gjithçka dhe shpejt; dhe, përherë janë të gatshëm për negociata të reja me Serbinë. Që të mbesin në pushtet për veten e tyre paçka se kjo bëhet gjithnjë në llogari të shtetit e popullit të Kosovës.


Mbase nuk mund të ketë vit të ri me pushtet të vjetër. Viti i ri, herdokur, do të jetë edhe epokë e re.


Fjala e Albin Kurtit në takimin me gazetarë në prag të vitit 2011

Albin Kurti
2010-12-30
Të nderuar gazetarë, ju falenderoj që keni ardhur sot në këtë takim përmbyllës të vitit 2010. Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ju falenderoj për angazhimin dhe punën tuaj të palodhshme në informimin e qytetarëve me zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë. Në të njëjtën kohë ju falënderoj edhe për hulumtimet që keni bërë dhe nëpërmjet tyre keni arritur që të zbardhni shumë të vërteta për çështjet politike dhe të tjera në Kosovë. Në veçanti ju falënderoj që jeni të vetmit që i keni përcjellur dhe ndjekur aktivitetet tona edhe më shumë se sa Policia e Kosovës, por natyrisht që ju këtë e keni bërë në kuptimin pozitiv të fjalëve ndjekje dhe përcjellje.


Viti 2010 ka qenë një vit i rëndë për qytetarët e Kosovës. Të gjitha problemet kapitale të vitit 2009 janë bartur edhe në vitin 2010 dhe madje janë intensifikuar. Varfëria e papunësia janë rritur, shteti i Kosovës as këtë vit nuk i kontrolloi kufijtë e vet, strukturat e Serbisë u toleruan nga pushteti edhe në vitin 2010, ndërkaq qyteti i Mitrovicës mbeti i ndarë.   


Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE!, sidomos në fund të këtij viti, ka përjetuar rritjen më të madhe në gjithë periudhën sa ekziston. Pra, gjatë këtyre pesë vjet e gjysmë, në vjeshtën dhe dimrin e këtij viti kemi pasur anëtarësinë më të madhe dhe njëkohësisht kemi pasur struktura të konsoliduara të rrjetit të VETËVENDOSJE!-s si asnjëherë më parë. Gjithë këtë kapital tonin fizik e intelektual ne do ta përdorim që problemet e vitit 2010 të mos i kemi në vitin 2011, për shkak se jemi të bindur se në qoftë se në vitin 2010 Kosova nuk bëhet me sovranitet dhe me zhvillim ekonomik, pra nëse në vitin 2011 shtetit të pavarur të Kosovës nuk ia bashkëngjesim sovranitetin dhe shoqërisë kosovare nuk ia bashkëngjesim zhvillimin ekonomik, atëherë, pothuajse me siguri, nga një shtet i dobët do të shndërrohemi në një shtet të dështuar.


Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’iu falenderoj për ardhjen tuaj në këtë takim të fundit për këtë vit, me ç’rast ne kemi përgatitur edhe një koktej rasti, ku të gjitha prodhimet janë nga Kosova dhe nga Shqipëria. Dhe, së fundi, ua uroj Vitin e Ri juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe për një arsye shtesë: sepse Viti i Ri është e vetmja ditë të cilën politikanët e Kosovës nuk mund ta shpallin datë historike. Ju falemnderit!